iBet uBet web content aggregator. Adding the entire web to your favor.
iBet uBet web content aggregator. Adding the entire web to your favor.



Link to original content: https://www.efsa.europa.eu/sq/plh4l/economic-impact
Ndikimi në ekonomi | EFSA Skip to main content
Person holding potatoes

Ndikimi në ekonomi

Shëndeti i bimëve nuk është jetik vetëm për mjedisin dhe sigurinë e ushqimit por luan një rol domethënës edhe në formimin e ekonomisë.

Shëndeti i bimëve ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në sektorë dhe industri të ndryshme, duke sjellë ndikime qoftë pozitive apo negative në ekonomi.

Si mund të ndikojë në ekonomi shëndeti i bimëve

Mbajtja e bimëve të shëndetshme është shumë e rëndësishme për prodhimtarinë bujqësore dhe për prodhimin ushqimor. Në fakt, bimët kanë një ndikim të dyfishtë në furnizimin tonë me ushqim, në mënyrë të drejtpërdrejtë kur konsumojmë vetë bimë dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë kur i përdorim bimët si ushqim për kafshët e fermave. Sëmundjet dhe parazitët e bimëve mund të shkatërrojnë të korrat, duke çuar në reduktim të prodhimit dhe në kosto më të larta prodhimi për fermerët. Si rrjedhojë, kjo mund të sjellë rritjen e çmimeve për ushqimet e konsumatorëve dhe mund të rezultojë madje edhe në mungesë të ushqimeve duke ndikuar kështu edhe në ekonominë e përgjithshme

Shëndeti i bimëve lidhet ngushtë edhe me tregtinë ndërkombëtare. Parazitët dhe sëmundjet invazive mund të hyjnë përmes lëvizjes së bimëve dhe produkteve bimore në kufi, duke dëmtuar tregtinë dhe duke shkaktuar humbje për ekonominë. Mbrojtja e shëndetit të bimëve përmes rregulloreve të rrepta të importit dhe certifikimeve ndihmon në mbrojtjen e bujqësisë vendase dhe në parandalimin e përhapjes së parazitëve të dëmshëm. Shembuj të këtyre certifikatave përfshijnë Certifikatën Fitosanitare të BE-së ose certifikatën e shëndetit të bimës, e cila duhet të shoqërojë shumicën e bimëve ose të produkteve bimore që hyjnë në BE (shikoni këtu listën e plotë) ose pasaporta e bimës, e cila duhet të shoqërojë të gjitha bimët që tregtohen brenda BE-së.

Shëndeti i dobët i bimëve mund të ketë ndikim që shtrihet shumë përtej pasojave ekonomike të menjëhershme. Neglizhimi i shëndetit të bimëve sot mund të sjellë në të ardhmen:

  • humbje të biodiversitetit,
  • përkeqësim të ekosistemit,
  • disbalancë mjedisore.

Shëndeti i bimëve në histori

Çfarë ndodh kur neglizhohet shëndeti i bimëve? Historia na tregon ndikimin ekonomik dhe social të menaxhimit të dobët të shëndetit të bimëve. Për shembull, "Kriza e Patates" (ose ndryshe Zia e madhe e Bukës) në Irlandë në mesin e shekullit të 19-të erdhi nga rastet e shumta të vrugut të patates që çoi në humbje shkatërruese në të korra dhe kosto jetese shumë të mëdha për vendasit.

Shpërthimet më të fundit të sëmundjeve të bimëve përfshijnë HLB-ja e agrumeve, që prek agrumet dhe Xylella fastidiosa, një patogjen bakterial i bimëve, i cili që prej shfaqjes së tij në Italinë e Jugut në vitin 2013, ka shkaktuar shkatërrim në masë të ullishteve, duke infektuar dhe duke vrarë 21 milion pemë vetëm në rajonin e Puljas në Itali, me raste të raportuara në të gjithë Evropën Jugore. Nëse do të përhapej në të gjithë BE-në, ky patogjen mund të shkaktojë humbje të prodhimit vjetor në vlerë prej 5.5 miliardë Euro.

Këto sëmundje kanë ndikuar në industritë bujqësore, duke sjellë reduktim në të korra, humbje të vendeve të punës dhe rritje të kostove të prodhimit.