iBet uBet web content aggregator. Adding the entire web to your favor.
iBet uBet web content aggregator. Adding the entire web to your favor.



Link to original content: http://sq.m.wikipedia.org/wiki/Demokraci
Demokracia - Wikipedia

Demokracia (gr. demo - popull, kraci - rend) është një formë qeverisje në të cilën shumica e njerëzve ushtrojnë sovranitetin e tyre ose drejtëpërdrejtë, nëpërmjet referendumeve, ose në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve. Duke filluar pas luftës së dytë botërore, interpretimet për demokracinë si rend qeverisës janë shumuar, dhe ndërmjet tyre ka dallime të mëdha. Gjatë historisë së sistemeve politike qeverisëse, brezi i sistemeve shtetërore demokratike është zgjeruar dhe në të futen rendet shtetërore liberale, rendet shtetërore një partiake deri tek rendet shtetërore të emërtuara demokratike por që në të vërtet nuk kanë asgjë që i lidh me kuptimin e fjalës demokraci.

Eksperiencat demokratike në Antikitet

Redakto

Lindja e idealit demokratik

Redakto
 
Klisteni, "babai i demokracisë athinase", bust modern

Ideali demokratik e ka origjinën në Greqinë e lashtë të epokës klasike (shekulli i 5-të dhe 4-të p.e.s.). Bëhet fjalë në të njejtën kohë për një filozofi dhe eksperiencë politike, me shembull atë të Athinës: reformat e Solonit, Pisistratit dhe Klistenit lejuan përparimin dhe ngritjen e sistemit demokratik që Efialti dhe Perikliu perfeksionuan.

Kështu, grekët shtruan të parët rrugën e demokracisë politike të drejtpërdrejtë, në të cilën qytetarët i marrin vetë vendimet lidhur me qytetin (polis). Por kjo formë e demokracisë qëndroi e kufizuar; femrat, skllevërit dhe metekët (banorët e huaj të Athinës) nuk konsideroheshin si qytetarë, kurse zgjedhjet, parim themelor i demokracisë, zinin vetëm një rol dytësor – preferohej shorti për të përcaktuar magjistratët. Megjithatë, qytetarët, që zinin vend rregullisht në Asamblenë e përgjithshme të popullit (eklezia), nuk merrnin pjesë më pak, por në mënyrë të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimeve.

Shembulli i demokracisë athinase nën Perikliun

Redakto

Perikliu ishte përgjegjës për zgjerimet e fundit të demokracisë athinase. Eklezia, asambleja e popullit, merrte vendime për gjithçka; ajo ndihmohej në detyrën e saj nga Bulja (këshill ose senat), që duhet të debatonte çështjet e ngritura nga asambleja dhe të jepte një mendim paraprak. Funksionet e magjistratit, kolegjiale dhe vjetore, mbikqyreshin ngushtësisht nga demosi (populli).

Magjistratët kryesorë të qytetit, strategët (nga greqishtja stratos, i armatosur dhe agein, drejtoj) mbanin pushtetin ekzekutiv, duke shpronësuar kështu arhondatin, i reduktuar, ashtu si këshilli i lashtë aristokratik i Aeropagut, në një titull juridik dhe fetar.

Tribunali popullor Heliaia (6 000 heliastë të përcaktuar me short) jepte gjykim për të gjitha çështjet.

Të gjithë qytetarët athinas mundeshin pra të vendosnin për qytetin e tyre në asamble, të zinin vend në tribunal, të ishin anëtare të Bules dhe të ushtronin një magjistraturë të paktën një herë në jetën e tyre. Në mënyrë që kjo barazi të mos ishte thjesht një fjalë e kotë, Perikliu jepte një pagë për pjesëmarrjen në jetën qytetare, e quajtur misthos.

Demokracia zbatohej gjithashtu duke lehtësuar pabarazitë ekonomike dhe shoqërore me praktikën e liturgjive (barrë e ndërmarrë nga shteti që i besohej qytetarëve më të pasur), në një sistem mbështetjeje për më të varfrit, duke siguruar punë për të gjithë.

Asambletë e para përfaqësuese në Mesjetë

Redakto
 
Magna Carta, 1215, Angli

Në Europën mesjetare nuk ekzistonte një shtet demokratik, por disa qytete, (komuna) në Flandër dhe Itali sidomos, kishin përvoja me diçka të ngjashme me demokracinë. Nga ana tjetër, parimet demokratike po zbatoheshin edhe në shumë komunitete manastirore.

Në nivel kombëtar, ekzistonin tashmë asambletë përfaqësuese, të zgjedhura nga populli dhe të mbledhura nga vullneti i mirë i mbretit: p.sh, ParlamentiAngli, KortesiSpanjë, Shtresat e Përgjithshme në Francë. Por vetëm asambletë angleze zotëronin pushtet të vërtetë me firmosjen e Kartës së Madhe në 1215, sipas të cilit Parlamenti duhet të jepte miratimin e tij për taksat.

Lindja e demokracive moderne

Redakto

Bazuar mbi vlerësimin e individit dhe mbi barazinë gjyqësore, ideali demokratik modern shfaqet në fillim të shekullit të 18-të nga një konceptim i ri mbi njeriun sipas të cilit, ai, i lirë dhe i pajisur me vullnet të vetin, nuk është më i nënshtruar nga forcat hyjnore. Liria përkufizohet si një dhunti e vetvetishme e qenies njerëzore dhe realizohet plotësisht nëpërmjet njohjes së të drejtave natyrore, të patjetërsueshme dhe të shenjta.

Ky konceptim, që trondit shoqërinë e urdhrave dhe privilegjeve të Regjimit të Vjetër, pranohet solemnisht në Francën e Revolucionit ku Deklarata mbi të drejtat e njeriut dhe qytetarit e 1789 deklaron se “ njerëzit lindin dhe qëndrojnë të lirë dhe të barabartë si e drejtë ”.

Modeli i demokracisë përfaqësuese britanike (shek. XVII-XVIII)

Redakto

Ndërkohë që Rilindja risolli në modë teoritë politike të antikitetit grek, Reformacioni kalvinist (gjysma e dytë e shek. XVI) mori (Në Skoci, në Francë, në Holandë), një ngjyrim demokratik. Megjithatë, monarkia absolute triumfoi në shumicën e shteteve europiane.

Ishte Anglia, që, në fund të revolucioneve të shekullit të 18-të, vendosi të parin regjim demokratik, duke garantuar liritë themelore, të cilat ishin pasojë e kësaj. Akti i Habeas Corpus (1679) dhe Deklarata e të drejtave (Bill of Rights, 1689) përbëjnë afirmimet e para zyrtare të të drejtave natyrore të individëve.

Filozofi anglez Xhon Lok dha formulimin e parë koherent të demokracisë moderne në esenë e tij Mbi qeverinë civile (1690): liria është një e drejtë natyrore e njeriut; një qeveri është legjitime vetëm nëse ajo është e bazuar në një kontratë me popullin; pushteti i të bërit ligje dhe ai i të zbatuarit të tyre duhet të veçohen.

Kjo ndarje pushtetesh, e ripohuar pak më vonë nga Monteskje (Mbi frymën e ligjeve, 1748), bëhet një nga themelet e demokracisë. Bashkë me pohimin e përgjegjësisë ministeriale dhe dobësimin e prerogativës mbretërore, Britania e Madhe vuri në vend regjimin e parë parlamentar, institucionet e të cilit u bënë një model.

Demokracia përfaqësuese dhe demokracia e drejtpërdrejtë

Redakto

Demokracia përfaqësuese është e bazuar në parimin, sipas të cilit vetëm një trup përfaqësuesish të zgjedhur mund të ngjallin në mënyrë të vërtetë vullnetin kombëtar. Zhan Zhak Ruso, teorist i sovranitetit popullor në “Kontrat sociale” (1762), bëhet apostulli i demokracisë së drejtpërdrejtë ku çdonjëri nga individët që përbëjnë popullin është zotërues i një cope pushteti, të cilën e vendos nën vullnetin e përbashkët. Ky vullnet shfaqet nga e drejta e votës universal, demokracia e drejtpërdrejtë dhe regulli i shumicës. Eksperiencat demokratike perëndimore nisen nga ky konceptim i pamundur për ta vënë në punë në shtetet e mëdha dhe shoqëritë moderne komplekse.

Pranimi i demokracisë liberale në shekullin e 19-të

Redakto

Demokracia fillon të triumfojë në fund të shekullit të 18-të. Revolta e kolonive angleze të Amerikës së Veriut lind “Deklaratën e të drejtave” të 1776, që shërben si bazë e Kushtetutës demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Revolucioni francez i 1789 trondet tërë themelet e monarkive me të drejtë hyjnore dhe sjell “Deklaratën e të drejtave të njeriut dhe të qytetarit”, që prek të gjithë njerëzit. Këto dy revolucione janë pikënisje e regjimeve të para republikane dhe zgjerimit të së drejtës së votës.

Objektivi i evolucionit politik demokratik

Redakto

Lufta për demokracinë bëhet që prej shekullit të 19-të një nga motivimet kryesore të evolucionit politik. Për mbështetësit e demokracisë liberale, veprimet e pushtetit kufizohen në sferën politike, që është ndjeshëm e distancuar nga sferat ekonomike dhe sociale. Për liberalët, demokracia ka si qëllim përfundimtar të garantojë lulëzimin e të drejtave të vetvetishme të qenies njerëzore: pushteti duhet të sigurojë me anë të mënyrave ligjore respektimin e lirive në mënyrë që marrëdhëniet shoqërore mes individëve, juridikisht të barabartë, të zhvillohen lirisht. Individët nuk duhet të mbështeten përveçse te vetvetja për të përmbushur fatin e tyre.

Duke analizuar shoqërinë amerikane (Demokracia në Amerikë), Tokvili (Tocqueville) ishte teoristi i parë që shfaqi evolucionin demokratik (pra, zhdukjen progresive të pabarazive) si pikën e përfundimit të pashmangshme të luftës liberale.

E drejta e votës: një çështje madhore

Redakto
 
Vendosja e së drejtës universale së votës për meshkujt në Francë në 1848 ishte një hap i rëndësishëm në historinë e demokracisë.

Përtej vendosjes së lirive themelore dhe kufizimit, madje përmbysjes së pushtetit mbretëror, është vendosja e së drejtës së votës që bëhet një çështje thelbësore.

Për një kohë të gjatë, e drejta e votës i është rezervuar gjithmonë një pakice. Systemi i bazuar mbi taksën e votimit, që përjashtonte nga zgjedhësit në popullatë ata që nuk kishin të ardhura të mjaftueshme, u ndryshua progresivisht.

Në Shtetet e Bashkuara, pas heqjes së skllavërisë, deklarata e barazisë së të drejtave për të zinjtë (1868) i dha fund, zyrtarisht të paktën, diskriminimit ndaj të cilit ata ishin viktima.

Kriteret e demokracisë liberale

Redakto

Në të gjitha regjimet demokratike, Kushtetuta duhet të garantojë liritë themelore (liria e fjalës, garanci kundër arbitraritetit, liria e shtypit, liria e protestës, etj.), ndarjen e pushteteve (ekzekutiv dhe legjislativ, kryesisht), e drejta universale e votës, organizimi i zgjedhjeve të lira e të rregullta dhe pluralizmi partiak. Këtu duhet të përfshihen gjithashtu procedurat për ndryshimin e Kushtetutës ashtu si edhe kontrolli i përputhjes me kushtetutën të ligjeve.

Shfaqja e “demokracisë socialiste”

Redakto

Transformimet e jetës ekonomike pas revolucioneve industriale, përkeqësimi i kushteve materiale të gjithë një kategorie të popullsisë dhe zhvillimi i lëvizjeve shoqërore në shekullin e 19-të çuan në një kritikë globale dhe radikale të parimeve të demokracisë liberale nga socializmi. Duke u nisur nga analiza e kushteve të punëtorëve, Marksi (Kapitali) solli prova për faktin se demokracia nuk kishte mundur ta ndalonte shfrytëzimin e njeriut nga njeriu.

Sipas teoristëve të socializmit, regjimet demokratike nuk janë veçse një instrument për dominimin e një klase mbi një tjetër. Për marksizmin, shteti nuk është kombi i organizuar me miratimin e të gjithëve, por produkt i antagonizmit mes klasave dhe instrument shtypjeje në duart e klasës zotëruese. Kështu, vetëm zhdukja e shtetit dhe klasave mund të çojnë në një demokraci të vërtetë. Liria konsiderohet si diçka krejtësisht formale sa kohë që barazia shoqërore nuk është arritur.

Demokracitë bashkëkohore

Redakto

Zgjerimi i modelit liberal

Redakto

Gjysma e parë e shekullit të 20-të shquhet nga vendosja e të drejtës së votës universale në shumicën e vendeve europiane. Ky zgjerim nuk prekte vetëm kategori burrash që ishin të përjashtuar por edhe femrat, të cilave iu akordua kjo e drejtë (1906 në Finlandë; 1928 në Britani të Madhe; 1944 në Francë), ndonjëherë pas përfundimit të një lufte të vështirë.

Vlerat e demokracisë pluraliste dhe liberale u mohuan, megjithatë, nga dy lloje regjimesh: nga njëra anë, nga diktaturat fashiste të Italisë dhe naziste të Gjermanisë (ashtu si edhe nga regjime të tjera autoritare në atë kohë si Spanja apo Portugalia) dhe, nga ana tjetër, nga regjimet komuniste që ndiqnin demokracinë socialiste apo “popullore”.

Nga krijimi i OKB deri pas Luftës së Ftohtë

Redakto

Pak pas Luftës së Dytë Botërore, vlerësimi i parimeve demokratike, në veçanti të drejtat e njeriut, u shfaq nga Deklarata universale e të drejtave të njeriut, e adoptuar në 10 dhjetor 1948 nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Kjo u ndoq, në 1966, nga dy pakte, njëri në lidhje me të drejtat civile dhe politike, kurse tjetri, me të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Në kuadrin europian, Konventa europiane e të drejtave të njeriut u firmos në Romë në 4 nëntor 1950.

Megjithatë, Bashkimi Sovjetik kishte vendosur sistemin e vet politik dhe ekonomik në shumicën e vendeve të Europës lindore dhe qendore, duke vendosur një regjim “totalitar” (themeluar mbi një bazë autoritare dhe policeske, ku çdo lëvizje kritike konsiderohej subversive). Në kontekstin e Luftës së Ftohtë që vinte në kundërshti bllokun lindor dhe bllokun e demokracive perëndimore, “versioni socialist i demokracisë” u aplikua gjithashtu në Kinë dhe në disa vende të tjera në zhvillim.

Revolucionet demokratike të 1989 në vendet e Europës lindore dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik (1991) i dhanë fund kësaj përballjeje. Që atëherë, pluralizmi liberale mund të pretendojë ekluzivitet si model demokratik. Por, megjithëse, në planin e vlerave, modeli i demokracisë pluraliste është vendosur, shumë regjime ushtrojnë në fakt një pushtet autoritar.

Transformimi i pushtetit

Redakto

Një shtet i dobësuar

Redakto
 
Protesta në Wisconsin, SHBA, që kërkojnë një buxhet të balancuar dhe reduktim të shpenzimeve qeveritare.

Ndërkohë që e drejta universale e votës u adoptua nga të gjitha regjimet liberale, u formuan organizata të mëdha politike (partitë) dhe shoqërore (sindikatat): përveç garantimit të lirive individuale, demokracia liberale ka pranuar ekzistencën e lirive kolektive, si p.sh lirinë e protestës dhe anëtarësimit në sindikatë.

Konceptimi klasik i rolit të individëve në fushën politike u modifikua në mënyrë të konsiderueshme dhe regullat politike u përmbysën: disa organizata të mëdha u vunë përballë njëra tjetërës si rivalë për pushtet. Tani e tutje, asambletë legjislative u strukturuan në bazë të forcave politike dhe funksionimi i pushtetit është në varësi të lojës së koalicioneve. Gjithashtu, pluralizmi i opinioneve është diçka që, në kushte të caktuara, do të dobësonte pushtetin.

Demokracitë liberale karakterizohen tanimë nga një shumëfishim i organizatave politike, sociale dhe ekonomike. Shoqëria demokratike ka formuar grupe interesi që vendosen në mes të individit dhe pushtetit. Paralelisht, rritja e rolit të shtetit duket se ka arritur kufjtë e vet. Përballë këtij evolucioni, disa propozojnë një rikthim në burimet e liberalizmit, që do të thotë një “zvogëlim të shtetit”.

Shoqatat si kundër-pushtet

Redakto

Roli i fituar nga organizatat politike dhe shoqërore në lojën politike kanë modifikuar rregullat e demokracisë. Grupet janë vendosur si kundër-pushtete dhe kanë marrë autonominë e tyre lidhur me pushtetin politik, mbi të cilin ato veprojnë drejtpërsëdrejti duke negociuar me qeverisësit në emër të interesave të anëtarëve të tyre. Demokracia ka tendencë kështu që të shndërrohet në një bashkësi të madhe organizmash korporatiste, ku fuqia zëvendëson ligjshmërinë.

Në këtë kuadër, vendimi politik duket më pak si rezultat i një debati sesa fryt i vënies në punë të një rrjeti klientele dhe një negocimi mes partnerëve publike dhe grupeve private të interesit. Në përfundim, shoqatat më të fuqishme përpiqen të imponojnë vullnetin e tyre.

Kjo krizë e pushtetit prek të gjitha demokracitë perëndimore dhe i jep vend, në mënyrë paradoksale, riformimit të “feudeve” brenda shoqërisë demokratike, duke modifikuar kuptimin fillestar të pluralizmit dhe legjitimitetit politik.

Teknokracia

Redakto

Ndërkohë që forcimi i shtetit që në fillim të shekullit të 20-të ka ndihmuar në rritjen e rolit të qeverisë dhe administratës, pushteti teknokratik, në shtetet në fund të shekullit të 20-të, ka tendencë të zëvendësojë atë të të zgjedhurve. Ekspertët ruajnë gjithmonë një vend më të madh në proceset e ndryshme dhe zhvillojnë një rrjet marrëdhëniesh me grupet për të arritur kompromise. Negocimi kontraktual rrezikon gjithashtu të zëvendësojë në mënyrë sistematike debatin, tradicionalisht i kërkuar për të rregulluar interesat e kundërt.

Evolucioni i shoqërisë demokratike karakterizohet gjithashtu nga reduktimi i pjesëmarrjes politike nga qytetarët, që vjen nga njëra anë nga rënia e ideologjive mobilizuese që shoërohet në anën tjetër me një krizë legjitimitetit të institucioneve politike. Ky “deficit demokratik” rritet shpesh nga një personalizim më i madh i pushtetit.

Kriza e shtetit të fuqishëm

Redakto

Kriza e shtetit të fuqishëm është vënë gjithnjë e më shumë në dukje që prej viteve 1970, me ngritjen e neoliberalizmit. Ky fenomen shpjegohet në pjesën më të madhe nga roli gjithmonë në rritje i shtetit në jetën ekonomike dhe atë të qytetarit, duke shkaktuar një rritje të shpenzimave qeveritare, shpesh duke shkaktuar borxhe publike gjithnjë e në rritje. Buxhetet janë në krizë dhe shpenzimet publike janë bërë të pakontrollueshme. Teoristët dhe ekonomistët neoliberalë si Milton Friedman de Friedrich Hayek mendojnë se shtetit duhet të zvogëlohet ndjeshëm, në rolin e vet minimal dhe thelpësor, në mënyrë që shoqëria civile të rigjejë ritmin normal të marrëdhënieve të lira.

 
Harta e Economist Intelligence Unit për Indeksin e Demokracisë në 2019, ku ngjyrat më të gjelbra përfaqësojnë vende më demokratike.
Demokraci të plota:
  9.00-10.00
  8.00-8.99
Demokraci të mangëta:
  7.00-7.99
  6.00-6.99
Regjime hibride:
  5.00-5.99
  4.00-4.99
Regjime autoritare:
  3.00-3.99
  2.00-2.99
  0.00-1.99
Informacion i pamjaftueshëm, pa vlerësim:
  

Referimet

Redakto

Shiko edhe:

Redakto